S. Radogoshi: Kush luan me mua - bëhet i madh!
Edhe kur është serioz njerëzit qeshen me të. Madje, edhe atëherë
kur është i nervozuar dhe nuk është me humor. Ky është çmimi që duhet
ta paguajë në jetë për humorin e tij në estradën kosovare. Sevdai
Radogoshi, njeriu që 37 vjet gjendet në estradë dhe që ka krijuar
Qumilin, Dikin, Gipën, Sylën, zojën Zyba, flet për jetën e tij,
karrierën, për herë të parë për portalin tonë.Bisedoi:
Gazmend Kajtazi
Kur takohesh me të dhe ai ia fillon dy-tri shakatë e para, ty të
duket se është duke aktruar dhe të shkon mendja ta pyesësh se cili qenka
ky personazh i ri i krijuar prej tij. Mirëpo, i tillë është ai,
humorist i lindur që pa telashe mund të krijojë personazhe, secili më
qesharak se tjetri.
Sevdai Radogoshi, së pari kam filluar si valltar, në moshën 13-14
vjeçare. Më pas kishte qenë një kohë edhe boksier i kategorisë pendël.
Kishte punuar edhe shitës në Mëhallë të Hudumit dhe kasap në thertoren
"Agimi". Mirëpo, skeçet e para në estradë i kishte punuar në vitin 1973,
për t'u popullarizuar në mesin e viteve tetëdhjetë me "Qumilin" e
paharrueshëm.
Prej 1973 në skenë...
Deri në klasën e tretë kam menduar se jam budalla, meqë flisja
mbrapshtë dhe njerëzit qeshnin me mua, kurse mësuesi më rrihte.
Karrierën e fillova duke e imituar Mixhën Ramë, derisa një ditë mixha
Ramë i vërtetë (Fitim Domi), më sugjeroi që për të pasur sukses të mos e
imitoja.
Për herë të parë në RTP më ka ftuar regjisori Xhemil Vraniqi më 1982.
Kam luajtur një monolog të Ramiz Kelmendit, gjakovarin. Tekstin nga
gjuha letrare e kam bërë në gjuhë të gjakovarit. Në një promovim të
videokasetës në Pejë, Ramizi ka thënë se, Sevdaiu është “doktor i
zemrave tona që shëron zemrat tona.
Vetëm një tekst të Rifat Kukajt e kam realizuar më 1983 së bashku me
Luan Dakën dhe Mixhën Ramë (Baca Kolë) për RTP-në.
Jeni ndër humoristët e paktë shqiptarë që keni luajtur disa
role. Sa role i keni bërë deri më sot?
Kam 36 personazhe të mia. Por, kam krijuar personazhe edhe për të
tjerët, si psh: Mojen, Zhylafetin, Lumen (Elida Shasivari), Zyra
(Zyrafete Gashi), Moni, Hasani (Besim Dina), Haxhi Baba, Elezi (Ibrahim
Krajkova), Bujari, Vineta, Noci (Bujar Bobani), baba Hoxhë (Aziz
Saliuka), tota Namie, Mumira (Shqipe Hoxha), Shkokla (Arben Danceli),
Flakrimi (Arben Lleshi), Fetije Qarallajka (Vjollca Rizvanolli),
Zymernija (Shkumbin Radogoshi), etj.
Qumilin e kam krijuar vet më 1983. Më 1986 Mustafë Halili, ish-redaktor
më tha të bashkëpunoj me Lecin. Unë pa pëlqimin e tij e mora edhe Rasim
Thaçin dhe e pagëzova me emrin Cimë, sepse Cima më ka pëlqye shumë si
humorist dhe prapë e dua.
Për këto vjet sa kam luajt, kam shkruar mbi 800 skeçe dhe 3 komedi. Nuk
janë pak a...?
Ishte në një kohë shumë i shikuar emisioni “Treshi
përsheshi”?
Me paraqitjen e Treshit-përsheshit (të cilin e pagëzoi Ibrahim Kadriu)
kemi bërë revolucion në humorin kosovar. Deri atëherë në RTP humori
është interpretuar në gjuhë letrare që e kanë shkruar skenaristët,
ndërsa e kanë interpretuar aktorët e teatrit të Prishtinës, Gjakovës dhe
Gjilanit.
Ne jemi legjendë e humorit në Kosovë, me ne ka fillua humori. Skeçet e
Treshit kanë qenë aq të fuqishme sa edhe sot shikohen me kënaqësi.
Pse e luan rolin e Zybasë dhe dadës Pucë?
Sepse s’ka aktore në Kosovë që mundet ta luajë atë rol
bindshëm.
A ke pas kontakt me ndonjë aktor të madh? Si të kanë
vlerësuar?
Po, jam takuar me aktorin e madh, të ndjerin Bekim Fehmiu. Kur më ka pa
në videokasetë në rolin e Zybasë, nuk më ka njohur. Motra e tij i ka
tregua se është Sevdaia dhe më vonë Bekimi në prani të Lecit, Cimës dhe
Hivzi Krasniqit më ka thënë që këtë rol të femrës, asnjë aktore e
Kosovës nuk mundet ta luajë.
Bekimi e çmonte shumë rolin e Qumilit dhe më pat thënë “Peshku i madh
nuk rritet në ujë të vogël”.
Ne rrinim bashkë në Qafë (Prishtinë), në një piceri. Bekimi ka qenë edhe
patriot i madh. Po ua japi vetëm një detaj: në vitin 1976, në Beograd,
zhvillohej loja Vëllazërimi-Çupariqki. Bekimi me te birin Uliksin
përcillnin takimin. Uliksi i vogël, në stadium mbante plisin në kokë... E
ka dashur shumë popullin e vet.
Çfarë keni fituar gjatë këtyre vjetëve në skenë?
E kam fituar një grua që është shumë punëtore dhe konsultohem me të dhe
m’i ka bërë 4 fëmijë (tre vajza e një djalë) që i dua shumë. Kjo është
pasuria ime më e madhe.
Të kujtohet kur je martuar...
Jam martuar në moshën 21 vjeçare, më 1979 me Eljane Rokën. Më të isha
njoftuar pesë vjet më parë, i shpreha dashuri, të cilën ajo nuk e kishte
refuzuar. Atëherë më pranoi dhe kurrë më nuk më ka ç'pranuar. Më
dhimbset e shkreta. A çohet jetë me mua?
Mirëpo, a e ka mashtruar gruan ndonjëherë?
I kam mashtruar dy kazerma të ushtrisë së "Jugosllavisë" e le
më gruan.
Hera e parë ishte më 1979, kisha qëndruar vetëm gjashtë ditë ushtar. Më
lëshuan me diagnozën: mentalno deficita (mentalisht i ngecur). Herën e
dytë, në Zagreb, ‘aktrova’ pak më gjatë se herën e parë. Pas një muaji
qëndrim, më liruan me diagnozën e njëjtë të psikiatrit. Psikologët dhe
psikiatrit ushtarakë i kishin ngritur duart dhe kishin bërë be se në
tokë të dheut nuk mund të ekzistojë njeri psikikisht më i sëmurë se
"pacienti" i tyre, hhahaha.
I tillë jam unë, rrezikoj, por punës gjithnjë i hyj seriozisht.
Keni dhënë shumë për humorin shqiptar. A keni lënë pasardhës
që do të mund t’i ndiqte hapat tuaj në të ardhmen?
Nuk ka pasardhës, humori nuk është pasuri që trashëgohet. Humoristi
lind...
A të brengosë fakti që nuk e ke Akademinë e teatrit?
Hahhaa….gjenerata e parë e Teatrit Dodona kur kanë hy në edicion, kanë
imituar Cimën dhe Lecin (monologët), por mua s’kanë mund dhe nuk munden
askush. Sikur ta kisha Akademinë, talenti im kishte mbet me profesorë të
Dodonës, të cilët s’kanë të bëjnë me humor.
E imagjinon dot veten të luash rol serioz?
Kam luajt në teatër më 1989 në komedinë “Teveqeli”, kam pas një rol
episodik. Kur kam dalë në skenë, krejt salla ka qeshë. Pa qenë aktor,
nuk mund të jesh humorist i suksesshëm, sepse duhet me i njohur lëvizjet
skenike që m’i ka mësuar regjisori i komedisë dhe teatrit të Gjakovës, i
madhi Hysen Binaku.
Kënd e çmoni prej humoristëve?
Agron Llakajn, disa humorist të ‘Portokallisë’. Më pëlqen edhe Kabareja e
RTV21.
I çmoj edhe ata me të cilët paraqitet në skeçe me mua. Secili që luan me
mua, luan mirë, se më ka mua afër, përfshirë edhe aktorët e Teatrit të
Gjakovës, të cilët më 1979 më refuzuan për t'u punësuar.
Si ashtu?
Unë gjithnjë e kam ditur se do të jem artist i madh, por në atë
audicion kam shkuar gabimisht, sepse ata në të vërtetë kishin kërkuar
aktor më të dobët se ata. Tashti, herë pas herë i ftoj në kasetat e mia,
por jo të gjithë se nuk kanë kualitet.
Çka mendon për Besim Dinën?
Çka kam menduar, e kam realizuar. Duke luajtur me mua është
bërë Besim. Më herët nuk e ka njohur askush. Qysh osht, qashtu osht.
Po Stupcat?
Ishin 5, mbetën 4, ishin 4 mbetën 3...suksese në të ardhmen.
Në mesin e prodhimeve më të suksesshme televizive vendore
është edhe Kafeneja jonë...
S’është edhe me rëndësi a më pëlqen mua, apo jo...Populli e ka
mirëpritur.
Armond Morina?
Si fëmijë Lili e ka pas në klasë dhe më ka lutë me e marrë me
luajt. Edhe nëna e tij e ndjerë më ka lutë me e marrë me luajt se krejt
jetën është rritë me humorin tim. Dhe, kur është prezantuar para se me
hy në Akademi, më ka imituar mua. Përndryshe është aktor i madh.
Kënga e do motivin, po humori?
Për të shkruar humor së pari duhet porosia, pastaj edukata dhe zbavitja.
Mua më pëlqen humori pa fjalë banale. Edhe kur personazhi flet diçka
banale, është edukata e personazhit, e jo e Sevdaisë.
Cili është shembulli yt në jetë dhe pse?
Transformimi prej një personazhi në tjetrin. Çdo personazh imi dallon
bindshëm prej tjetrit.
Si ndjeheni pas më shumë se tre dekadash punë? Jeni i kënaqur apo ju
ka ngelur peng ndonjë gjë që s’e keni bërë?
Vitet ikin shpejt, shumë gjëra më kanë mbetur pa bërë...
Kush mundet të të zëvendësojë?
Askush. Unë, jam i lindur për humor. Të qëndrosh 37 vjet në skenë dhe
gjithherë i pathyeshëm në toplistë - dëshmon se je legjendë.
Cili është budallëku më i madh që ke bërë në jetë?
Kam bërë shumë, s’po di cilin ta dalloj...hahahaa
A janë humoristët, njerëzit më seriozë, sepse kritiku, poeti
Zhan Kokto, thotë se poetët janë gënjeshtarët më të mëdhenj që e thonë
të vërtetën. A pajtoheni me këtë sintagmë?
Po, sepse e ka thëne Kokto.
A ju ka djegur ndonjëherë humori i pakripë, dmth, a keni
pasur pasoja për batutat tua në adresa të caktuara?
Po, më ka djegur, vetëm lëkurën, hahaha....
Thuhet se humori është njëfarë relaksimi për njerëzit e
stresuar. Po del se humoristët në mënyrë të tërthortë janë edhe
psikologë...
Psikologë e shkuar psikologësh...
Sa i ndiqni emisionet humoristike që bëhen sot?
I shikoj dhe qeshem.
Pse qesh?
Sepse disa më dhimbsen se nuk dinë të bëjnë humor.
A ka traditë dhe perspektivë humori te ne, më duket se më
shumë ka sarkazëm, më shumë njerëzit kritikohen sesa cyten të qeshin?
Para 20 vjetësh humori ka pasë perspektivë. Tashti, nuk ka, sepse humor
po bëjnë njerëzit që s’kanë lidhje me humor...
U ndamë nga Sevdai Radogoshi, hareshëm, seriozisht dhe shumë
miqësisht.
/Telegrafi/
Read more »