Members

Remember Me

Search Results: nazim-bllaca

Nazim Bllaca - Lajmet rreth rastit Bllaca

Published: Nov 29, 2009 by admin Filed under: News - Lajme
Në vijim po botojmë transkriptin e DVD-së, deklaratës së dhënë nga Nazim Bllaca, vërtetësinë e së cilës dhe pohimet tha se i mbështeste me përpikëri.

DVD-të janë shpërndarë për media nga deputetët Adem Salihaj dhe Gani Geci, të cilët pavarësisht se thanë se ndihen të kërcënuar nuk mund të ndalojnë që të mos dihet e vërteta, dhe se thanë se këtë e bëjnë me shpresë se EULEX-i do të ndërhyjë. Në vijim është rrëfimi i paprekur i dorasit Bllaca. “Jam Nazim Bllaca, nga Ribari i Madh, komuna e Lipjnait.
Jam i lindur me 1.4.1972. Kam fakulteti e gjeografisë dhe kam punuar në shkollën fillore Emin Duraka para luftë,s pas luftës kam punuar në shkollën e fshatit tim. Kam qenë pjesëtarë i UÇK-së, nga fundi i qershorit 1998 deri më 12 qershor 1999.
Kam qenë i plagosur në tetor 1998 në një atentat në fshatin Godanc tek familja e Fatmir Qerimit. Ata e kemi bërë me urdhër të Shtabit të Përgjithshëm, me urdhër të Komandantit të Zonës- Fatmir Limës. Pas luftës kam filluar të punoj si arsimtar në shkollën fillore Kadri Deda në fshatin Ribar si arsimtar i gjeografisë.
Me të përfunduar lufta jam angazhuar në strukturën e SHIK-ut, dhe prej asaj dite deri në vitin 2007, ku kam punuar afër në strukturën e ekzekutimit që ka qenë shtyllë e veçantë e Azem Sylës, Xhavit Halitit. Që nga qershorit i viti 1999 kur kam filluar të punojë si anëtar i SHIK-ut, unë si Nazim Bllaca kam filluar kontaktet për herë të parë me Ekrem Jasharin. Nuk e kam njohur, mirëpo nëpërmjet një shoku të luftës i cili quhet Bekim Bytyçi nga Prishtina, që punon në Gjenevë, është dhëndër i Sami Demakut.
Ai nëpërmjet Ekrem Jasharit është ardhur deri tek lidhja mes meje dhe Ekrem Jasharit dhe anëtarësimi im në SHIK. E kam fjalën për fundin e qershorit 1999. Për herë të parë me një person sikurse Azem Syla kam biseduar me Ekrem Jasharin në Lipjan dhe nga ai moment jam kyçur ne radhët e SHIK-ut, si person i besuar dhe i cili ka kontribuar në UCK. Vrasjen e parë pas luftës e kemi kryer me 15 qershor ora 9.00 në Varigovc komuna e Lipjanit. Viktima është Sali Gashi. Atje kemi shkuar me urdhër të Fatmir Xhelilit. Kam qenë dhe Faruk Gashi nga Shtimja. Quhet Faredin por emri me shkurtesë është Faruk Gashi nga Shtimja.
Vrasjen e dytë e kemi bërë rreth 27 dhe 28 qershor në fshatin Kraishtë të komunës së Lipjanit. Viktima është Adem Lahi një kolaboracionist, por jo i nivelit sa që kemi vepruar na. Viktima e tretë ka qenë Ibush Kllokoqi në Prishtinë, nuk jam i sigurt rreth datës por natën kur është bërë ekzekutimi i tij kam biseduar unë me Azem Sylën. Faruk Gashi dhe Shpresim Uka. Shpresim Uka është person i cili ka lidhje miqësore me Azem Sylën.
Ai e ka gruan nga fshati Halilaq, komuna e Fushë-Kosovës, ndryshe është mbes e Azem Sylës dhe punon në Radio Kosova e Lirë. Ditën kur është marrë vendimi unë nuk kam qenë aty. Në mbrëmje unë kam kontaktuar tek Viktoria dhe nga xhipi i Azem Sylës unë Nazim Bllaca e kam marrë “shkorpionin” dhe Shpresim Uka, Faredin Gashi, Driton Hajdari, Bekim Syla ka qenë aty dhe Sadik Abazi nga fshati Davidovc.

Vrasje e tretë më takonte mua për arsye se sipas Azem Sylës ishte zinxhiri komandues që të gjithë të implikohen në vrasje. Në Varigovc vrasjeje e ka kryer Fardin Gashi. Në Kraisht vrasje e ka kryer Sadik Abazi, ndërsa në Prishtinë Ibush Kllokoqin unë Nazim Bllaca personalisht kam qenë me tre persona tjerë dhe e kemi bërë ekzekutimi e tij në prani të gruas së tij.
Po përshkruaj vrasjen e Ibushit në pika të shkurta. Natën kur kemi shkuar ka qenë fillim i errësirës. Unë e kam ftuar që të dalë jashtë. Ka dalë e shoqja e tij dhe me të dalë kam thënë se duhet të kontaktoj me bacën Ibush për një pasaportë se dua të dal jashtë. Në atë moment ka dalë baci Ibush dhe është bërë vrasja e tij. Vrasja e tij kam dëgjuar se ka bërë jehonë të madhe sa që Sabri Novosella dhe Selatin Novosella kanë bërë pagesa darkash edhe në Tiranë.
Vrasje e tij ku e kam zbuluar se prapa saj qëndron Azem Syla ka qenë në prill 2007, kur Azem Syla më ka thënë direk mua se unë Azem Syla kam pasur gisht direk te Ibush Kllokoqi. Sa i përket Selim Broshës, më kanë çuar mua ta shoh në “Dubrovnik”. E kam përcjellë, ka qenë një person i shëndoshë, shtatshkurtër dhe atë e kemi përcjellë deri në momentin në ditën e ekzekutimit. Nuk kam marrë pjesë në ditën e ekzekutimit të tij, por kam marrë pjesë në parapërgatitjen e vrasjes së tij. Selim Brosha e ka pasur banesën prapa “Qafës” dhe aty unë kam qëndruar 1 muaj duke shitur cigare pas orarit të punës kinse po shesim cigare, jemi tregtarë, ndërsa është përcjellë Selim Brosha, i cili në atë kohë ka pasur një Golf 2 të bardhë. Në atë kohë na ka ardhur urdhri që të punojmë në tri drejtime.
Struktura e vrasjeve ka qenë të punojmë në tri drejtime.
E para ka qenë vrasje e kolaboracionistëve, ashti si i quajtshin këta, është fjalë për Azem Sylën, Xhavit Halitin, Ferat Shalën, Kadri Veselin dhe Fatmir Xhelilin.
Të gjithë këta i njoh, kam biseduar, përpos me Kadri Veselin, të cilin nuk e kam parë dhe nuk e njoh. Shifra ime me të cilën kam raportuar në linjën e Ferat Shalës ka qenë me shifrën “SEIKO”. E kam pasur një orë nga Zvicra dhe me atë shifër kam raportuar për terrenin e Lipjanit, Ferizajt, Shtimes dhe një pjesë të Vitisë. Në atë kohë na ka ardhur neve një urdhër i cili kishte të bënte me anëtarët dhe kokat me të njohura, më të fuqishme të LDK-së.
Ardhja e Rugovës në Kosovë e ka destabilizuar SHIK-un, kështu që SHIK-u është dashur të forcohej dhe të fillojë strukturën e organizimit dhe vrasjet. Personalisht kam qenë i kyçur në përgatitjen e atentatit ndaj z. Adem Salihajt nga komuna e Ferizaj, i cili në atë kohë ka qenë person me ndikim të madh dhe e kemi ditur se nuk kemi çka dalim në zgjedhje në Ferizaj. Adem Salihajn nuk e kam njohur kurrë, nuk i kam pasur borxh as familjarisht asgjë, mirëpo Adem Salihaj si person me ndikim më ka ardhur urdhri nga Azem Syla dhe Ekrem Jashari se duhet të vritet. E kam përcjellë bashkë me Sadik Abazin nga Davidovci, Farfuk Gashin nga Shtimja, Shpresim Uka dhandër i Azem Sylës dhe Driton Hajdari nga komuna e Prishtinës. E kemi përcjellë pothuaj 1 muaj ditë me një “Omegë” e cila na u ka dhënë shpërblim nga një donator nga Gjeneva. “Omega” ka qenë 3 mijë kubikë, 24 ventila, ngjyrë metalike. Në momentin kur është përgatitur qe atë ditë të ekzekutohet Adem Salihaj ai është përcjell mirë sepse atë kohë ka qenë fushatë dhe në atë kohë ne kemi përcjellë me dy vetura.
Në veturën që është dashur ta ekzekutoj kanë qenë Sadik Abazi, Driton Hajdari dhe Shaban Syla. Këta tre kanë qenë perona kyç. Ne kemi qenë në tjetrën veturë duke pritur te dera e hyrjes së oborrit Adem Salihajn. Kjo ka qenë ajo e cila na ka shtyrë që unë të dal të veprojë përkushtimisht si anëtar i SHIK-ut duke marrë parasysh se Adem Salihaj ishte bashkëpunëtorë i UDB-së i sigurimit shtetëror të Serbisë, ashtu thoshte Azem Syla.
Në prill të viti 2007 Azem Syla e ka pranuar edhe këtë te Adem Salihaj kinse unë qëndroj prapa përgatitjes së atentatit ndaj tij. Kam pasur marrëdhënie shumë të mira miqësore në këtë fushë, është fjalë në fushën e vrasjeve me Ekrem Jasharin. Ekrem Jashari dhe Azem Syla janë të lidhur ngushtë mes vete duke përfshirë edhe Xhavit Halitin. Përgatitjen e atentatit ndaj Ismetit i cili ishte nga ish-Devet Jugoviqi dhe jetonte në Prishtinë e ka dhënë urdhër Azem Syla. Përndryshe Azem Syla, Ismetin e ka edhe mik të shpije dhe e ka pasur mik të shpije edhe në atë kohë.
Ne në atentat kundër Ismetit kemi qenë unë, Sadik Abazi, Shpresim Uka, Driton Hajdari dhe Bekim Syla nga fshati Kishnarek. Aty nuk më kanë treguar mua se në atë banesë kanë shkuar edhe më herët dhe kanë tentuar njerëz që të bëjnë atentat kundër Ismetit. Azem Syla në mënyrë direkte në prill 2007 kur kam filluar unë të largohem nga kjo grup kriminale ka thënë që unë e kam mik të shtëpisë dhe ti nuk e njeh më mirë se unë, se ai punon për shërbim shtetëror të UDB-së.
Në këtë atentat është plaguar Driton Hajdari, i cili ka qenë personi kyç rreth atentatit të z. Adem Salihaj. Në këtë atentat ditën që është plagosur në mbrëmje e kemi dërguar në QKU, Driton Hajdarin dhe kemi kërkuar ndihmë nga Fatmir Xhelili që ta bëjë organizimin sa më shpejt se ishte plaguar rëndë. Driton Hajdari nuk ka qenë në UÇK, mirëpo pasi që i kishte kanë një dëm i madh Azem Syla ja ka dhënë librezën dhe e ka bërë veteran të UÇK.
Ky është zinxhiri komandues i vrasjeve në këtë nivel sa u përket urdhrave tjerë që i ka quar Azem Syla në mënyrë direkte ka qenë edhe Sefer Syla. Sefer Syla është mixha i Azem Sylës, mësues 30 vjeçar në shkollën fillore Bajram Curri në Nekovc. Ai ka punuar bashkë me nëj dajë timin Fehmi Gashin që të dy kanë qenë anëtarë të LDK-së dhe edhe sot janë anëtarë të LDK-së. Azem Syla një mbrëmje ka dërguar Shpresim Ukën dhe janë ardhur më kanë marrë në Ribar të madh. Është fjalë për korrikun 1999 më kanë marrë mu dhe kemi shkuar direkt në shtëpi të Sefer Syles. Sefer Syla ka pas një shtëpi vetëm katin e parë, i dyti i pa ndërtuar dhe ka qenë urdhri të ekzekutohet për arsye se gjithnjë sipas Azem Syles ky person e ka përcjellë nga afër Azem Sylen prej viti 1980-1998. Gjithmonë sipas Azem Sylës i referohem vendimeve të tij.
Sefer Syla ka pasur me u vra në mes të fshatit Kishnarek dhe Nekovc. Jemi dalë, e kemi lokalizuar vendin ku t bëhet ekzekutimi dhe pasi që jemi dal aty kam pasur kontakte me dajën tim Fehmi Gashin. Në atë kohë daja im ka thënë që ky person nuk është për ta ekzekutuar dhe është anuluar ky vendim se Seferi një kohë ka jetuar në Prishtinë se ju ka frikuar këtyre. Përpos kësaj në Kishnarekë është rrahur në mënyrë brutale Nezir Gara. Nezir Gara ka qenë anëtar i LDK-së, po foli prapë për korrik 1998. Neziri është rrahur në mënyrë brutale, ditë e shtunë në tregun e kafshëve në Komoran, Bushat tash quhet në një shitore është përcjellë nga Sadik Abazi, por unë nuk kam marr pjesë në këtë rrahje. Kanë marrë pjesë Faruk Gashin, Shpresim Uka dhe t Hajdari, ata kanë marrë pjesë direk. Personi Nezir Gara me të kthyer nga tregu kthehet hynë në një shitore dhe aty e zane dhe e rrahin në mënyrë brutale. Sa i përket Kishnarekës dhe Ferizajit. Ndërsa prapë kanë filluar urdhrat nga ministria e mbrojtjes . Ne nuk kemi punuar në linin e askujt nën drejtimin e askujt përveç të Azem Sylës dhe Fatmir Limës. Azem Syla ka qenë ministër i mbrojtjes , ndërsa Fatmir Limaj zëvendësministër.
Në atë kohë ka ardhur një urdhër që të merret Banush Berbatovci, kinse ka qenë kolaboracionist dhe të ekzekutohet. Banush Bërbatovci është nga Dobraja e madhe dhe është fakt që Banush Berbatovci e ka lexuar përmbysjen e Kushtetutës në kohën e Millosheviçit në Beograd dhe jemi shkuar e kemi marrë atë, unë, Shpresim Uka, Faruk Gashi dhe Driton Hajdari. Pasi që e kemi marrë dhe e kemi qitë në një lokacion përtej minierës së Goleshit, Banush Bërbatovci e nxjerr një letër të thjeshtë dhe thotë: “Unë jam nën mbrojtjen e Fatmir Limës”. Në atë kohë ministria e mbrojtjes ka funksionuar normal në kohën e Qeverisë së Përkohshme. E kemi marrë atë letër dhe të nesërmen kemi shkuar tek Fatmir Limaj, në zyrë pranë Ministrisë Mbrojtjes, ka qenë edhe Azem Syla. Me të hyrë aty e kemi parë veturën e Banush Bërbatovcit i cili kishte shkuar para neve dhe bisedonte me Fatmir Limën , kinse s’ka ndodhur asgjë. Më vonë janë ndeshur Azem Syla dhe Fatmir Lima rreth kësaj çështjeje.
Për arsye se Banush Bërbatovci nga Dobraja e madhe kishte shpëtuar nga regjimi i Serbisë vëllain e Fatmir Limës , Demir Limën, në atë kohë kur familjes Limaj iu kërkonte një pushkamitroloz është fjala për vitin 1996”.
Nazim Bllaca

Këtë ma ka thënë edhe Banush Bërbatovci, sepse atë e kam edhe dajë të babës. Kjo ka qenë rreth Banush Bërbatovcit.
Sa i përket vrasjes, tentimvrasjes së Agim Veliut e të Ejup Visokës, Shpresim Uka në mënyrë direkte më ka thënë mua:
“Unë nuk kam marrë pjesë në atentat kundër Agim Veliut”.
Këto që kam marrë pjesë direkt në atentat edhe i përmenda. Në vrasjen e Agim Veliut dhe të Ejup Visokës janë Shpresim Uka dhe Driton Hajdari. Këta dy janë, dy figura të cilët dy ditë pa u gjuajtur Agim Veliu më kanë ftuar mua, që nëse nuk kryhet një punë në regjionin e Besjanës duhet të vish edhe ti për të na ndihmuar. E njëjta fjali më është thënë nga Shpresimi edhe kur janë vrarë gazetari i Skenderajt, Kastrati, e Dajaku që në një farë forme më ka lidhur mua, për numrin e vrasjeve në regjionin e Drenicës. Sa i përket urdhrave unë, si Nazim Bllaca, kam kuptuar se nuk kam marrë urdhër nga Xhavit Haliti, as nga Fatmir Limaj, por kam marrë urdhër direkt nga Azem Syla.
Po flas pak rreth strukturës organizative të vrasjes. Ne menjëherë pas luftës, kur jam radhitur në SHIK, kemi qenë tre persona që kemi marrë paga: Shpresim Uka, Faruk Gashi dhe unë, Nazim Bllaca. Përndryshe kam qenë shpeshherë duke vozitë autokombajnën në korrik të vitit ‘98, paga më ka ardhur dhe dorëzuar në shtëpi. Shpeshherë ka ndodhur që edhe nëna ime e ka marrë pagën që ma kanë sjellë nga SHIK-u dhe më ka pyetur: “Si është e mundur, nga po të vijnë këto mjete”. Kam menduar, kam besuar se jam në një linjë duke punuar në rrafshin kombëtar, si duhet dhe në një pozicion, i cili do të na çojë përpara, jo vetëm mua dhe familjen time, por edhe tërë Kosovën, mirëpo kishte qenë e kundërta.
Në vitin ’99, kur na ka ardhur struktura, skema dhe shtrirja, sektori i vrasjeve për ekzekutim kemi qenë: Unë Nazim Bllaca, Shpresim Uka, Faruk Gashi, Sadik Abazi dhe Driton Hajdari. Në tri fusha kemi punuar. E përmenda, kemi pasur për t’i ndjekur kokat e LDK-së, ku nuk ka pasur në ato komuna dhe nuk ka mundur të lëvizë asnjë hap PDK-ja, kanë qenë Besiana dhe Ferizaj, në rrafshin e Kosovës. Është fjala për Ferizajn ku kokë e LDK-së ka qenë Adem Salihaj e në Besjanë Agim Veliu dhe Ejup Visoka, këta janë tre personat, tri figurat që, gjithmonë sipas Azem Sylës, është dashur të ekzekutohen për arsye se kanë qenë bashkëpunëtorë të sigurimit shtetëror të Serbisë.
Fusha e dytë e vrasjeve ka qenë rreth dëshmitarëve të Hagës. Unë mik të shtëpisë e kam pasur Ismail Bërbatovcin, i ekzekutuar gjatë luftës, i marrë mu nga dalja e shtëpisë sonë dhe është ekzekutuar në rrethinën e Kleçkës. Lidhur me bashkëpunëtorët e Hagës në mënyrë direkte kam qenë i kyçur në Carralevë, ku Azem Syla na ka çuar të ekzekutohet një bashkëpunëtor kundër Fatmir Limajt, dhe në fshatin Dobrajë ku në mënyrë direkte, kemi çuar kërcënime dhe në Gjykofc është fjala për Daut Gashin. Të tri këto figura kanë qenë që ne i kemi ngulfatur në mënyrë indirekte që të mos bashkëpunojnë me Tribunalin e Hagës. Ndërkaq pika tjetër ka qenë kundër kolaboracionistëve, duke përfshirë: Ibush Kllokoqin, Selim Broshin, Banush Bërbatovcin, Ajet Istogun, Sali Gashin nga fshati Varigovc, Adem Lahin nga fshati Kraishtë. Pastaj ka qenë një listë edhe në Shtime, të cilën nuk kemi mundur ta ekzekutojmë. Në të qenë Nuhi Syla, arsimtar i matematikës në shkollën fillore “Emin Duraku” dhe shumë të tjerë kanë qenë në listën e ekzekutimit. Ne kemi punuar në tri drejtimet që i përmenda edhe më herët dhe si rezultat i këtyre që është bërë në vitin 2005, filluan disa plasaritje, filluan disa burgosje dhe në një farë forme kam vërejtur që këta janë duke u munduar njëri-tjetrit t’ia hedhin fajin për vrasje. Në vitin 2006 kam acaruar dhe kam prishur marrëdhëniet me Azem Sylën dhe Ferat Shalën. Ferat Shala ka qenë në SHIK dhe sipas meje ka qenë dyshi, bashkë me Fatmir Xhelilin. Kam prishur marrëdhëniet në vitin 2006 dhe kam kërkuar që të takohem në prill të vitit 2006 me Azem Sylën dhe jam takuar te “Ana Benz”.
Te “Ana Benz” ia kam vizatuar 17 vrasje, plagosje, përgatitje të atentateve dhe atentate. Azem Syla këtë e ka thënë direkt, kemi qenë vetëm unë dhe ai. Më ka kontrolluar mos kam telefona. Kam hyrë në “Ana Benz” që është e tij në një zyrë ku shkruan “rezervim”, kam biseduar në mënyrë direkte dhe më ka thënë që çka të duash të bëj në nivelin komunal, në nivelin qendror rreth vrasjeve, tentimvrasjeve të anëtarëve të LDK-së, Ibush Kllokoqit, Selim Broshit dhe Ismetit nga Nëntë Jugoviqi, ti nuk bën të lëvizësh. Këta m’i kanë pas obligim 220 mijë euro. Në vitin 2007 kam paraqitur në Stacionin 2 se Faruk Gashi, kam punuar biznes me të, ka obligim ndaj meje 220 mijë euro. Ka dëgjuar Azem Syla dhe më ka njoftuar që të takohem me të. Jam takuar me Azem Sylën e Shpresim Ukën dhe Azem Syla në maj të vitit 2007 ka thënë kështu, po citoj:
“Unë jam Azem Syla, dhe unë do ta kryej obligimin ndaj teje”.
Mirëpo këta nuk e kanë kryer obligimin dhe kanë filluar parapërgatitjen e atentatit ndaj meje. Në vitin 2007, po foli për muajin maj, kam filluar kontaktet e para me UNMIK-un dhe një hetues të Tribunalit të Hagës, i cili ka qenë i angazhuar në procesin Haradinaj. Kam biseduar me të dhe në atë kohë nuk dihej cili është mandati, cila është fuqia e UNMIK-ut në atë kohë, kështu që jam i interesuar dhe kam shkuar në Stacionin numër 2 të policisë dhe kam paraqitur vrasjen e parë të SHIK-ut, ku në atë kohë në Stacionin 2 ka qenë Emin Beqiri nga Babushi, anëtar i SHIK-ut, i cili sot është dyshi në policinë e Kosovës pas Sheremet Ahmetit, të cilin në atë kohë, në vitin ’99, unë e kam angazhuar në SHIK dhe ka marrë pagë nga unë, Nazim Bllaca. Pra unë e kam angazhuar Emin Beqirin, sepse ai nuk ka qenë as në UÇK as në SHIK. Mbi Emin Beqirin ka qenë Destan Thaçi dhe këta e kanë mbyllur lëndën, rasti ka qenë vrasja e Kraishtes - e Adem Lahit. Me të dalë nga stacioni policor më ka thirrur Sabit Geci dhe më ka thënë se “nuk është dashur ti si Nazim Bllaca të hysh në këto sende, se këto i takojnë luftës”.
I kam thënë Sabit Gecit se vrasja nuk ka të bëjë me luftën, por ka të bëjë pas 12 qershorit 1999. Nga atëherë kam ra në kontakt me dy policë amerikanë që kanë punuar. Njëri ka qenë në procesin kundër Grackës, njëri në një proces tjetër, nuk e di se nuk më kujtohet. Përndryshe kam pasur telefonata dhe kontakte të rregullta me ta.
Në shtator të vitit 2007 më është përgatitur vrasja dhe janë lëshuar mjetet nga Azem Syla, Shaban Syla e Faruk Gashi. 100 mijë euro i janë dhënë Hysri Ramës ish-polic i SHPK-së, nga fshati Sankofc, komuna e Drenasit. Me të marrë paratë Hysri Rama më ka thënë:” Nazim Bllaca, duhet të largohesh nga Kosova, sepse Azem Syla nuk do të të lejojë të veprosh në Kosovë.
Në tetor të vitit 2007 jam larguar nga Kosova në drejtim të Kroacisë, me nëntë anëtarë të familjes, si rezultat i kërcënimit që kam pasur direkt nga Azem Syla dhe Faruk Gashi nga Shtimja, i cili është donator kryesor i SHIK-ut dhe Azem Sylës. Ndërkaq sa i përket asaj se cila është lidhja ndërmjet meje dhe Azem Sylës, atë ditë edhe sot, kam ardhur këtu më 13 maj 2009 (në Kosovë). Kur kam ardhur kam kuptuar në mënyrë direkte, por edhe nëpërmjet Kanunit të Lekës, kam hyrë dhe e kam zbuluar kush i ka lëshuar mjetet rreth meje. Me të dëgjuar këtë kam marrë vllazninë, prindërit, axhallarët dhe kam shkuar në Sankofc dhe personi e ka pranuar.
Për këtë posedoj edhe incizimin që është bërë në odën e Hysri Ramës.
Pasi kanë dalë në skenë këto gjëra më 26 a më 27 maj, nuk më kujtohet, i kam shkruar për herë të parë Azem Sylës një sms në telefonin e tij 044-108034 numër i telefonit i cili dhjetë vjet ka funksionuar në dorën e Azem Sylës. Ia kam shkruar një sms dhe ia kam përmendur këto vrasje: Ibush Kllokoqin, Selim Broshin, Adem Lahin, Sali Gashin, Ejup Visokën, Adem Salihajn, Agim Veliun, Ajet Istogun dhe Ismetin nga Nëntë Jugoviqi.
Këto të gjitha po edhe rrahjet brutale që i kam përmendur të Kishnarekës, pastaj tentim atentatet ndaj Seferit e shumë të tjerëve. Ia kam shkruar një sms në fund të majit 2009, dhe në momentin kur ka mbërri ai sms, ai telefon sot e kësaj dite nuk funksionon. Sot është data 10 tetor 2009 që këtë incizim, deklaratë e jap me dëshirë, pa presion, që nesër-pasnesër, në rast se mund të ndodhë dhe të vritem në një tradhti, në një pusi, të mbetet si dëshmi, si fakt dhe të bëhet kopje e ti dorëzohet të gjithë personave që kanë mbetur pa babë, pa nënë, dhe të gjithë personave që kanë qenë të kërcënuar në mënyrë direkte dhe të gjithë atyre që iu kanë përgatitur atentatet e që nuk janë realizuar.
Ju faleminderit!

(Huazuar nga Bota Sot 30.11.2009)

Azem Syla: Akuzat janë shpifje dhe kanë me dalë shpifje

Azem Syla, i përfoluri në CD-në e dëshmitarit Nazim Bllaca, në një prononcim për RTK-në, i ka quajtur gënjeshtra pohimet e këtij të fundit, duke thënë se nuk dëshiron të merret me rrena, shpifje dhe intriga të njerëzve të ligj, e aq më pak kur këto rrena bëhen në kohë fushatash. Ai ka thënë se nuk e njeh Bllacën si person, duke paralajmëruar se do ta denoncojë që nesër rastin tek organet e drejtësisë, të cilat do ta thonë fjalën e vet. “Shkurt flasim, se as nuk e kam njohur, e as nuk e njohim tani. Emrin tim dhe Azem Sylën e njohin tërë populli i Kosovës që nga vitet e 70, që do të thotë një jetë të tërë të timen ia kam kushtuar popullit dhe vendit tim, dhe së ardhmes së vendit. Këto shpifje në këto momente janë edhe në kohën e fushatës, edhe personat të cilat në Kuvend i dhanë deklarimet e tyre, edhe personi sot në fjalë, të gjitha këto janë shpifje dhe intriga që i bëjnë në të vërtetë njerëzit e ligj”, ka thënë Syla.



Fatmir Xhelili: Nuk e njoh Nazim Bllacën

Zv. ministri i Punëve të Brendshme, Fatmir Xhelili, i ka quajtur të pavërteta dhe shpifje akuzat e dëshmitarit nga CD-ja e përfolur Nazim Bllaca, duke thënë se nesër do të ngrisë ndaj tij padi penale. “Ne jemi duke u angazhuar për shtet ligjor dhe për shtet ku sundon ligji, edhe besoj se organet e drejtësisë do të merren tash drejtpërdrejt me këtë rast, dhe jam i interesuar që këtë rast të zbardhet deri në fund dhe të vijë deri te realiteti, dhe të gjithë ata nëse kanë bërë vepra, të dalin para drejtësisë, por koha kur është dhënë deklarata dhe njerëzit që e përkrahin për këtë deklaratë, më shumë janë për qëllime politike dhe për fushatë zgjedhore se sa që ka të bëjë diçka me realitetin”, ka thënë Xhelili për RTV21.


Si u kryen vrasjet e organizuara në Kosovë nga sektori i vrasjeve të SHIK-ut?

Lirie Hajdari-Shqipe Osmani
Emrat e apostrofuar nga Nazim Bllaca: Azem Syla, Xhavit Haliti, Fatmir Xhelili, Fatmir Limaj, Ekrem Jashari, Sadik Abazi, Faruk Gashi, Shpresim Uka, Driton Hajdari, Kadri Veseli, Ferat Shala, Bekim Syla.

Kosova është tronditur nga rrëfimet rrëqethëse për vrasjet e kryera në Kosovë. Për të gjitha vrasjet dhe tentim vrasjet e kryera në Kosovën e pas luftës, ka filluar të zbardhet misteri, të paktën për 17 prej tyre, gjithë[ka është zbardhur nga vetë dorasi, apo pjesëmarrësi në ekzekutime, Nazim Bllaca.


Vetë njëri nga autorët e vrasjeve makabre të pas luftës në Kosovë, ish-luftëtari i UÇK-së, pjesëtar i SHIK-ut, që nga periudha 1999-2003, Nazim Bllaca, ka pranuar të dielën të dal me fytyrë, pa maskë dhe pa asnjë mbrojtje, të rrëfej publikisht për të gjitha vrasjet dhe tentim vrasjet të kryera në Kosovë, për të cilat di ai dhe në të cilat ka marrë pjesë, i urdhëruar nga strukturat udhëheqëse të SHIK-ut, kryesisht nga Azem Syla dhe burri i mbesës së tij, Shpresim Uka, ky i fundit epror i Bllacës.

I lindur më 01.04.1972 në Ribar të Madh, komuna e Lipjanit, Nazim Bllaca, me profesion arsimtar, thotë se është kyçur në UÇK nga qershori i vitit 1998 deri më 12 qershor 1999, në Zonën e Pashtrikut. Pas lufte ai është inkuadruar në strukturat e SHIK-ut, si njeri i besueshëm dhe i bindur se në këtë mënyrë do t’i kontribuonte atdheut, derisa një ditë ai ka kuptuar se personat e etiketuar si shërbyes të UDB-së nuk kanë qenë të tillë, prandaj edhe kishte marrë vendim që në 2003-ën të braktisë strukturat e SHIK-ut.

Lista më ka ardhur nga eprori im Shpresim Uka

Në konferencë shtypi të dielën në Prishtinë, në pushimoren ndërmjet Kuvendit të Kosovës dhe të Prishtinës, e njohur si trerremëshi, ai ka deklaruar se në asnjë mënyrë nuk do të tërhiqet nga deklaratat e bëra në një rrëfim më shumë se gjysmë ore në DVD, (material ky që gazeta e boton të plotë në faqet 6-7), në të cilat ai drejtpërdrejt akuzon udhëheqësit e SHIK-ut dhe njerëz të strukturave qeveritare. Ndonëse nuk flet me emra se cilët janë personat që ai personalisht i ka vrarë, thotë se ka marrë pjesë në 17 raste, përfshirë këtu vrasje, plagosje, tentim-vrasje, kërcënime, rrahje brutale. Për vrasjet, thotë se për personat që ai i ka vrarë do të dëshmoj në Prokurorinë e EULEX-it. “CD që është dorëzuar në Parlamentin e Kosovës nuk ka të bëjë me periudhën e luftës, por për aktivitete që janë zhvilluar pas luftës. Kam qenë pjesë e strukturave të SHIK-ut dhe ajo CD i qartëson disa gjëra që janë manipuluar në adresën time. Epror kryesor në SHIK e kam pasur Azem Sylën, dhe aty kam shërbyer 4 vite, nga 1999-2003. gjatë asaj kohe i kemi pasur strukturat tona dhe veprimtaria është zhvilluar në shumë fusha. Është e vërtet se bëhet fjalë për vrasje në nivel Kosove. Ato që i ka përmendur Gani Geci ato janë të vërteta. Flitet për vrasjen e Agim Veliut e shumë të tjerëve”, nis rrëfimin e tij z. Bllaca. I pyetur se a ka vrarë ai Xhemajl Mustafën, Tahir Zemajn, Bllaca thotë se nuk ka qenë i përfshirë në këto vrasje, por si strukturë e këtij shërbimi thotë se është autor i një vrasje, por ajo mbetet të dëshmohet në Prokurorinë e EULEX-it. Ai thotë se prokuroria e EULEX-it është ë njohur për vrasjet që ai i ka kryer. “Shefi mbi mua ka qenë Shpresim Uka, dhëndër i Azem Sylës dhe kemi punuar në një strukturë vijë vertikale ashtu siç duhet. Nuk kemi qenë shumë, në rrethin tonë kemi qenë 3 persona, të gjithë tashmë të njohur për Prokurorinë”, thonë ai, ndërsa shton se lista për të eliminuar njerëz të caktuar i ka ardhur nga eprori i tij. “Mua lista më ka ardhur nga eprori im Shpresim Uka. Kam dëshmi për të gjitha, posedoj edhe audio dhe video incizime që janë marramendëse, incizime duke marrë pjesë në aksione. Të gjitha i janë dorëzuar Prokurorisë. Unë kam punuar nën koordinatën e Azem Sylës. Kam qenë pjesëmarrës në 17 raste. Bëhet fjalë për vrasje, plagosje, kërcënime, shantazhe, rrahje brutale etj”, ndërsa nuk ka precizuar se kush është personi që ai personalisht e ka varë, duke thënë se këtë informatë e ka Prokuroria e EULEX-it. Bllaca thtoë se ka qenë i pa vetëdijshëm për atë që ka bërë, duke menduar se në këtë formë po i shërben atdheut. “Kam menduar se jam duke punuar mirë për atdheun, por ajo kishte qenë krejt diçka tjetër, që është bërë nga individë dhe klane të ndryshme të cilat nuk ia kanë dashur të mirën tjetrit. Kanë thënë se ata njerëz të caktuar i kanë shërbyer UDB-së. Por në fund doli e kundërta e asaj që është thënë. Po e marr shembull kanë thënë se Ali Sadriu shërben për Shërbimet e fshehta të Beogradit apo dikujt tjetër, apo Adem Saljhai dhe këta i kemi futur me një ‘thes’ me Selim Broshën dhe Ibush Kllokoqin”, thotë Bllaca.

Jam penduar për punën që kam bërë

Ai nuk di nëse për këto raste kanë qenë të njoftuar udhëheqësit e shtetit. “Këtu nuk mund të implikoj kryeministrin. Unë nuk kam të bëjë asgjë me Hashim Thaçin, Fatmir Limaj apo Presidentin”, thotë ai. Bllaca ka rrëfyer edhe për takimet që Azem Syla i ka mbajtur me strukturat e SHIK-ut në vitin 2007, ku ishin ofruar 100 mijë euro për të likuidimin e tij. “Më 20 gusht 2007 nga i njëjti grup kriminal është përgatitur likuidimi im, ku edhe janë dhënë 100 mijë euro dhe për këtë është e njohur edhe Prokuroria e EULEX-it. Kam dhënë një deklaratë në stacionin numër 2, por ajo deklaratë imja pas 20 minutash ka dalë nga stacioni. Tash kam vendosur të flas sepse është koha. Siç po shihet edhe Prokurorët e EULEX-it janë të interesuar t’i dalin kësaj çështje deri në fund”, thotë ai, ndërsa thekson se të njëjtën gjë ka dashur ta bëjë edhe në vitin 2007. “Kam dashur të dëshmoj për të gjitha ato që janë bërë duke u bazuar në organet e mirëfillta të EULEX-it. Fillimisht në gusht të vitit 2007 kam dashur të flas, por duke u bazuar në të kohë që UNMIK-u ishte jo stabil jam detyruar të largohem nga Kosova”.

Ai, ka pohuar se urdhërdhënësit për vrasje janë ministra dhe zv.ministra, por nuk ka precizuar asnjë nga ata emra, duke thënë se emrat janë të njohur për EULEX-in.

Duke qenë personi i parë që del hapur për të dëshmuar për krimet e bëra, ai thotë se në asnjë moment nuk do të tërhiqet nga deklarimet e bëra dhe se është i gatshëm të paguaj me çmim gjithë atë që ka bërë, ndërsa për të gjitha të bërat e tij, ai thotë se ka qenë në dijeni edhe familja. “Jo absolut nuk tërhiqem. Unë jam personi i parë në Kosovë që pas luftës dal haptas. Po normal se unë jam penduar për punën që kam bërë nga viti 1999. Barra ime sa më bien jam i interesuar ta paguaj. Kam tre fëmijë dhe gruan, jetojmë të gjithë në Kosovë. Edhe po të vritem nga ky vend njerëzit do të kapen, dhe për këtë do të marr vesh edhe Brukseli sepse janë çështje madhore. Unë ua njoh strukturën e vrasjeve dhe mua nuk e kanë lehtë të më qesin në kurth”, shprehet Bllaca. Ai thotë se Azem Syla dhe njerëzie tij i kanë ofruar edhe të holla për të tërhequr dëshmitë. “Më 13 tetot 2009 nuk kemi mund të arrijmë kompromis me Azem Sylën rreth këtyre çështjeve. Në takimin që kam pasur me grupin kriminal të Azem Sylës nuk kemi arritur të gjejmë kompromis. Jam takuar me Azem Sylën që ata të mi japin disa të holla dhe unë të tërhiqem nga të gjitha. Fillimisht më kanë ofruar 400, pastaj 600 mijë euro, nëse unë largohem nga mediat, EULEX dhe partitë opozitare. Njerëz të Azem, Sylës më kanë thënë se nëse tërhiqem nga deklarimet do të më ndihmojnë me miliona dhe ky takim është mbajtur në Drenicë”, thotë ai, ndërsa shton se për mos pranimin e tërheqjes së tij pas publikimit të CD-së në Parlamentin e Kosovës të premten më 27 nëntor në orën 19:00 ndaj tij është përgatitur atentati i dytë.

Ai thotë se ka zgjedhur Gani Gecin për t’ia rrëfyer të bërat e tij, nisur nga fakti se Geci është anëtarë i komisionit për siguri në Parlament, dhe jo se ka qenë ithtar i LDD-së. Geci: Dëshmitari tregon se kush e ka gjakosur Kosovën Deputeti Gani Geci, shpjegon se si ka ardhur deri të kontakti me dëshmitarin, duke thënë se fillimisht kanë biseduar në telefon e pastaj e ka ftuar z. Bllaca që të takohen në Skenderaj. “Ka filluar të rrëfejë dëshmi aq rrëqethëse sa që unë s’kam besuar, sepse më është dukur si nëpër filma. Pastaj kemi shkuar të Adem Salihaj dhe jemi takuar në një kafiteri në Ferizaj dhe gjatë rrëfimit dëshmitari ka shprehur gatishmërinë për t’u incizuar në CD. Ky dëshmitarë tregon se kush është para politika dhe kush e ka gjakosur Kosovën. Nuk është patriotizëm me dhanë urdhër dhe me vra axhën e vet që ka punuar në arsim. Urdhërdhënësit janë në hierarkinë e institucioneve”, thotë Geci.

Edhe Adem Salihaj, thotë se në nuk është strukturë që ka zhvilluar ndonjë hetim, por se ka qenë një viktime e krimit të organizuar në Kosovë. “Jam munduar me vite të zbardhë të vërtetën lidhur me tentim-vrasjen dhe dëshmia që ka ardhur te unë që ka rrëfyer edhe për rastin tim, ka ardhur nga një peron që kurrë se kam njohur. Jemi marrë vesh që ta filmojmë me kamera atë dëshmi. Në këtë CD janë shumë përgjigje për shumë vrasje në Kosovë. Janë përgjigje për një krim të organizuar për sektorin e organizuar të SHIK-ut dhe flitet për një person që ka qenë pjesë e sektorit të vrasjeve që ka rrëfyer për atë pjesën që e di ai. Janë përgjigje jo vetëm për rastet që janë përmendur konkretisht, por edhe për rastet që nuk janë përmendur, sepse urdhërdhënësi është i njëjti për të gjitha vrasjet në Kosovë. Këtu janë përgjigjet për tentim-vrasje ndaj Agim Veliut, Ejup Visokës, Gani Gecit, dhe ndaj meje. Këtu janë përgjigjet për vrasjen e Xhemajl Mustafës, Enver Malokut, Ukë Bytyçit, Shaban Manajt, Tahir Zemajt, Besim Dajakut, Bekim Kastratit, Sebahate Tolaj, etj”, thotë ai. Salihaj është i bindur se Kosova nuk mund të ecë përpara me këta njerëz dhe këto institucione, ndërsa kërkon nga mekanizmat përkatës që të gjejnë mënyrën që mos të sundojë krimi dhe mafia politike. Sa i përket Sigurimit të Atdheut, Salihaj mohon të ketë qenë ndonjëherë pjesë e kësaj strukture ilegale. “SHIK dhe PDK kanë tentuar të konstruktojnë një akuzë kinse unë kam lidhje me Sigurimin Atdheut, por them se s’kam asnjë lidhje. Ndoshta ekziston Sigurimi i Atdheut dhe besoj se e njëjta strukturë qëndron prapa këtij shërbimi dhe s’kam asnjë lidhje me këtë. E ardhmja do të tregoj se kush është i lidhur me krim e kush jo dhe shumë gjëra do të dalin në shesh. Ne sot ndjemi të rrezikuar, por megjithatë kemi vendosur që të plasojmë të vërtetën”, thotë ai, ndërsa thekson se tashmë edhe EULEX-i ka dëshmi konkretet që flitet me emra dhe mbiemra.


Gazeta: Kosova Sot :
Rrëfehet publikisht për vrasjet Nazim Bllaca, policia dhe EULEX-i heshtin
Nazim Bllaca, nga Ribari i Madh, doli në qendër të Prishtinës, e deklaroi veten si ish-anëtar i SHIK-ut, tha se ka vrarë e maltretuar, ka marrë urdhra nga Azem Syla, si epror i tij, dhe pas këtyre fjalëve vazhdoi të mbetet i lirë. Policia dhe Prokuroria nuk ndërmorën asgjë, ndërsa EULEX-i thotë se po e heton rastin. Azem Syla i ka quajtur gënjeshtra pohimet për të, ndërsa PDK-ja reagoi dhe kërkoi angazhim maksimal të EULEX-it
30 Nëntor, 2009
Dëshmitari i shumëpërfolur i CD-së, ish-pjesëtar i SHIK-ut, Nazim Bllaca, i lindur më 1972, nga Ribari i Madh i Lypjanit, të dielën në sheshin në afërsi të Kuvendit është shfaqur befasishëm para medieve, duke shpalosur të dhënat e tij për disa krime të kryera në Kosovë. Ai tha se ka qenë punonjës i SHIK-ut dhe se ka marrë pjesë në organizimin e vrasjeve dhe tentim vrasjeve nga qershori i vitit 1999 deri në vitin 2003. “Nën urdhrat e SHIK-ut kam marrë pjesë në 17 aksione për vrasje, plagosje, rrahje e shantazhe. Eprori im ka qenë Azem Syla dhe dhëndri i tij, Shpresim Uka. Nga ky i fundit i kam marrë emrat se kush duhet të ekzekutohet”, ka thënë Bllaca, për të cilin policia nuk ka ndonjë urdhërarrest. Bllaca ka thënë se që nga viti 1995 deri më 1998 ka punuar në arsim në shkollën fillore ‘Emin Duraku’ në Shtime, e më pas në fshatin e tij të lindjes, ndërsa në vitin 1998 i është bashkëngjitur radhëve të UÇK-së, në zonën e Pashtrikut, deri më 12 qershor viti 1999, ndërsa pas kësaj kohe ka deklaruar se ka qenë i angazhuar në strukturat e SHIK-ut.  
Më ofruan 600 mijë euro për heshtje
Bllaca në rrëfimin e tij tha se dëshminë e tij e ka të incizuar në një video, e cila medieve u është shpërndarë nga deputetet Gani Geci dhe Adem Salihaj. Sipas tij, CD-ja e cila është dorëzuar në Kuvendin e Kosovës nuk ka të bëjë me periudhën e luftës, dhe, sipas tij, CD-ja i qartëson disa gjëra të cilat janë manipuluar në adresën e tij. “Është e vërtetë që bëhet fjalë për vrasje dhe për vrasje në nivel të Kosovës, jo në nivel komunal”, tha ai, duke theksuar se në këto struktura në rrethin e ngushtë kanë qenë vetëm tre persona. Ai nuk e di nëse funksionon SHIK-u dhe as që e njeh Kadri Veselin. Më tej ai shfaqi besimin se shumë shpejt do të dalin edhe të tjerët. “Mjaft ka shkuar me ata dëshmitarët e fshehtë”, tha ai. Bllaca ka bërë të ditur se i janë ofruar edhe shuma të mëdha parash, prej 400 mijë deri në 600 mijë euro, vetëm e vetëm që të mos i bëjë publike vrasjet.
“Po, normal jam i penduar për punën që është bërë nga 12 qershori i vitit 1999. Nuk është problem barra ime sa më bie, unë jam i interesuar ta paguaj”, tha Bllaca.
 Në video përmenden edhe 100 mijë euro për vrasjen e tij. “Është fjala për 20 gushtin e 2007-s, ku janë dhënë 100 mijë euro për vrasjen time. Prokuroria e EULEX-it është në dijeni se kush i ka dhënë parat dhe nga cili individ”. I pyetur çfarë e ka shtyrë të paraqesë para opinionit të gjitha ato që i thotë, Bllaca ka thënë se një nga motivet është se nuk ka arritur kompromis me ish-shefin e tij, prandaj ka vendosur të dalë para medieve dhe t’ua japë videon prej 30 minutash. Bllaca thotë se u ka shërbyer këtyre strukturave duke menduar se është duke punuar për atdheun, por që, sipas tij, ajo kishte qenë krejtësisht diçka tjetër prej individëve dhe klaneve të ndryshme. Ai thotë se për njerëzit që kanë cak të sulmeve është menduar se janë njerëz të caktuar të UDB. “Ashtu janë thënë, por në fund doli krejt e kundërta prej asaj që është thënë”, tha Bllaca, duke theksuar se të gjithë i kanë futur në një korpë me Selim Broshin dhe Ibush Klokoqin”.
Bllaca ju tha gazetarëve se ai nuk ka marrë para ekstra për vrasje, por vetëm një rrogë mujore prej 150 eurosh. Për ato 4 vjet që ka shërbyer në SHIK ka qenë i bindur se duke kryer këto vrasje po i shërben atdheut.
 
Largimi nga Kosova
Më tej ai ka thënë se është përcaktuar që CD-në ta publikojnë Adem Salihu dhe Gani Geci, duke qenë që ky i fundit ka qenë anëtar i komisionit për çështje të sigurisë në parlament. Bllaca ka thënë para medieve se të premten dhe të shtunën tek ai kanë qenë Policia e Kosovës, por nuk është prononcuar. Ai tha se është i gatshëm të shkojë në burg për atë që ka bërë. Bllaca tha se nuk ka besim të plotë në organet policore të Kosovës për të paraqitur dëshminë e tij, prandaj ka pritur misionin e EULEX-it, ku edhe ka deponuar faktet që ka në dispozicion.“Duke u bazuar në organet e mirëfillta të EULEX-it, unë e kam bërë një parapërgatitje në fillim në gusht të vitit 2007. Mirëpo, duke u bazuar në atë kohë që UNMIK-u ka qenë jostabil, atëherë jam detyruar të largohem nga Kosova. Rasti i së premtes është rasti i dytë që ka ndodhur ndaj meje. Përndryshe, më 20 gusht 2007 është përgatitur nga i njëjti grup kriminal që të likuidohem. Kam dhënë edhe një deklaratë në stacionin 2 në vitin 2007, e cila deklaratë pas 20 minutave ka dalë nga stacioni dhe është përhapë”, tha Bllaca. Ai gjithashtu implikon persona të lartë të Policisë së Kosovës. “Unë jam personi i parë në Kosovë që dal pas lufte haptas. Kanë qenë tek unë të premten dhe të shtunën, mirëpo unë nuk jam prononcuar para SHPK-së, nuk e kam që nuk ju besoj, ka edhe aty djem të mirë, por EULEX-it ia kam dorëzuar CD-në dhe audion e 13 tetorit 2009”, tha Bllaca.
Ai tha se asnjëherë nuk ka biseduar me kryeministrin aktual të Kosovës, Hashim Thaçin, dhe nuk beson se ky i fundit ka qenë në dijeni për vrasjet që urdhëroheshin nga SHIK-u. Por, ai përmendi se për aksionet e kryera ka marrë urdhra nga, siç tha ai, “pjesëtarë të SHIK-ut, që gjenden në strukturat udhëheqëse të Partisë Demokratike të Kosovës, pa përmendur asnjë emër. “Janë të precizuar dhe për EULEX-in janë të njohur”, tha Bllaca. Ndërsa, zyrtarët e Policisë së Kosovës kanë thënë se policia është e gatshme të veprojë dhe të reagojë kur prokuroria të lëshojë urdhrin për çfarëdo që të jetë. Mirëpo, Bllaca thotë se me këtë rast po merren hetuesit e EULEX-it. “Rasti deri më tani është nën hetime të Prokurorisë së EULEX-it dhe është në partneritet të plotë me EULEX-in, dhe pret komentet dhe urdhrin të veprohet në bazë të urdhëresave”, ka theksuar ai.
 
Syla: Janë shpifje dhe gënjeshtra, do ta
denoncoj Bllacën 
Një nga emrat e përfolur nga Bllaca ka qenë edhe ai i Azem Sylës, i cili ka reaguar në televizionin publik, duke hedhur poshtë ato. Syla i ka quajtur gënjeshtra pohimet për të. “Nuk merrem me gënjeshtra, shpifje dhe intriga të njerëzve të ligë, e aq më pak kur këto gënjeshtra bëhen në kohë fushatash”, pohoi Azem Syla për RTK-në. Ai tha se Bllacën nuk e njeh. “Emrin tim dhe Azem Sylën e njeh tërë populli i Kosovës që nga vitet e 70-ta, do të thotë tërë një jetë të timen ia kam kushtuar popullit tim, vendit tim dhe të ardhmes së vendit. Këto shpifje në këto momente janë edhe gjatë kohës së fushatës. Personat të cilët në Kuvend dhanë deklarimet e tyre dhe personi sot në fjalë të gjitha janë shpifje dhe intriga që i bëjnë njerëzit e ligë”, tha ai, duke shtuar se tërë veprimtarinë dhe aktivitetin e tij, duke përmendur këtu vuajtjen në burg në vitet 80 pastaj 89 në izolim dhe gjatë luftës e tani ka qenë për shtet dhe forcim të shtetit të Kosovës. Syla tha se këto akuza, që sipas tij bëhen në kohën e fushatës, janë shpifje të llojit të tyre. “Që nesër do ta denoncoj në organet e policisë, t’i lihet drejtësisë e cila le ta thotë fjalën e vet”, tha Syla. Ai tha se nuk e di se çfarë e ka shtyrë Bllacën të përmendë emrin e tij. “Janë shpifje dhe kanë me dalë shpifje”, tha Syla.
Ndërsa, Partia Demokratike e Kosovës dje hodhi poshtë akuzat, duke thënë se me këtë rast duhet të merren organet kompetente. Zëdhënësi i Partisë Demokratike të Kosovës, Blerand Stavileci, tha se ky subjekt do të pozicionohet në mënyrë të përgjegjshme, ndërsa kërkoi që deklaratat e ndryshme të partive të mos bëhen për përfitime të personave politike pak ditë para balotazhit, që do të mbahet më 13 dhjetor.
PDK-ja kërkon angazhim maksimal të EULEX-it
“Vendi dhe populli ynë kanë dhënë shumë për të ngritur shtetin dhe institucionet e veta demokratike. Liria, siguria dhe shteti ligjor janë kualitete themelore të demokracisë dhe të vendit tonë”, thuhet në një komunikatë shtypi të PDK-së, lidhur me zhvillimet rreth rastit të CD-së. “Të nderuar qytetarë, ditëve të fundit jemi dëshmitarë të akuzave dhe fyerjeve që bëhen në rrugë joligjore dhe me motive elektorale. Ka tendenca nga individë të inkriminuar që përpjekjet tona për shtet ligjor t’i kthejnë në anarki, urrejtje dhe vëllavrasje”, thuhet më tej në komunikatë. PDK-ja përmes komunikatës fton tërë opinionin e gjerë politik, intelektual dhe moral të vendit tonë që t’i japin përgjigjen e merituar tendencave të tilla nga individë të kriminalizuar me vendosmëri, jo anarkisë, jo krimit dhe jo vëllavrasjes. “I thërrasim dhe u japim përkrahje të plotë organeve të drejtësisë në zbardhjen e së vërtetës dhe t’i japin fund tendencave për shkatërrim dhe denigrim të sistemit tonë të drejtësisë, me qëllim të zhdukjes së të  vërtetës dhe mbulimit të krimit”.
Partia Demokratike e Kosovës do të kërkojë zyrtarisht nga EULEX-i angazhim maksimal dhe shqyrtim të plotë e të shpejtë të këtyre akuzave të përfolura dhe vënien e drejtësisë në vend. Partia Demokratike e Kosovës fton qytetarët të besojnë në organet vendore dhe ndërkombëtare të drejtësisë dhe të mos bien pre e akuzave të ulëta e të pabaza me prapavijë elektorale”, thuhet në komunikatën e PDK-së.


Nazim Bllacës, 30 ditë arrest shtëpiak

Gjykatësi ndërkombëtar i procedurës paraprake, Francesko Florit, ka marrë vendim që të akuzuarit Nazim Bllaca t’i shqiptohet masa e arrestit shtëpiak prej 30 ditësh. Këtë e ka konfirmuar Haxhi Millaku, avokat mbrojtës i të akuzuarit.

Me këtë vendim, gjyqtari ka pranuar kërkesën e avokatit Millaku dhe ka hedhur poshtë kërkesën e prokurorit Mauricio Salustro, i cili propozoi që Bllacës t’i shqiptohet masa e paraburgimit prej 30 ditësh.

Avokati Millaku gjithashtu ka kërkuar që klientit të tij t'i bëhet ekzaminim mjekësor psikiatrik. "Janë dy kapituj veprash, krim i organizuar, vrasje e rëndë dhe vrasje në tentativë, si vrasje e rëndë në tentativë. Do të shohim sa janë valide, sa është aplikuar ligji, mënyra...Unë kërkova nga gjykatësi që të bëhet gjithsesi ekzaminimi mjekësor, sepse deri më tani ai nuk ka pasur një trajtim mjekësor adekuat, a kemi të bëjmë me njeri normal, apo për çka është fjala?”, ka thënë Millaku.

Azem Syla paraqet padi në prokurori
Azem Syla, anëtar i Kryesisë së PDK-së dhe ish-komandant i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, ka ngritur kallëzim penal ndaj Nazim Bllacës nga Ribari i Madh i Lipjanit, i arrestuar dje nga Policia e Kosovës.

“Në kuptim të dispozitës së nenit 198 al.1 të Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës (KPPK) dhe duke ju bashkangjitur njoftimin tim për media të datës 30.11.2009 paraqes kallëzim penal për të gjitha veprat penale që ndiqen sipas detyrës zyrtare e që i ka kryer Nazim Bllaca nga fshati Ribar i Madh - Komuna e Lipjanit, i cili më 30.11.2009 është arrestuar nga Policia e Kosovës”, thuhet në kërkesën drejtuar Prokurorisë Publike të Qarkut në Prishtinë (Kryeprokurorit Osman Kryeziu) dhe Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës në Prishtinë (Kryeprokurores Elisabeth Arnal).

Syla, i cili është apostrofuar nga Bllaca si urdhërdhënës i tij në një numër rastesh të vrasjeve dhe tentimvrasjeve, që sipas tij janë organizuar nga SHIK-u në periudhën e pasluftës, kërkon nga prokuroria ta njoftojë mbi epilogun e hetimeve zyrtare nga ana e saj.

“Arsyeja e kërkesës sime që të më njoftonin mbi epilogun e hetimeve të juaja zyrtare është që pas përfundimit të hetimeve zyrtare kundër Nazim Bllacës, unë do të ndërmarr veprime të caktuara juridike dhe ligjore në mbrojtje të dinjitet tim, për shkak të shpifjeve dhe gënjeshtrave të cilat me deklarimet e tij më 29.11.2009 i ka plasuar në media-opinionin kosovar, i paraqituri”.

Syla e ka autorizuar avokatin Tomë Gashi që ta përfaqësojë në Prokurorinë Publike të Qarkut në Prishtinë, Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës në Prishtinë, në të gjitha gjykatat kompetente në Kosovë në çështjen penale kundër Nazim Bllacës.



Hysni Rama : “Bllaca ka jetuar dy vjet në Serbi”

Nazim Bllaca, i cili pretendon se ka marrë pjesë në 17 akte kriminale në Kosovën e pasluftës, në fakt është i paguar nga Serbia për të vrarë krerë të lartë të SHIK-ut dhe të PDK-së. Bllaca ka jetuar për dy vjet në Serbi...

Kështu thotë në një intervistë për Express, Hysri Rama, i cili në CD-në e shumëpërfolur ditëve të fundit, përmendet si personi që ka marrë 100 mijë euro për ta vrarë Bllacën.

Rama thotë se Bllaca me të cilin ka lidhje familjare është person i paguar direkt nga Serbia dhe sipas tij, ai kishte marrë urdhra për të vrarë Kadri Veselin, Xhavit Halitin dhe Azem Sylën.

Ai thotë se Bllaca, tashmë i arrestuar, ka jetuar për dy vjet në Serbi. Pas kthimit në Kosovë, sivjet në maj, në bisedë me të, Rama thotë se Bllaca i kishte treguar se nëse do t’i kryente këto akte, do të merrte “pare me thes”.

I pyetur se pse nuk e njoftuar policinë, Rama thotë se nuk e ka marrë këtë shumë seriozisht këto deklarime. “Nazimi ka qëndruar në shtëpinë time dy ditë dhe më pas e kam larguar”, thotë Rama, në bisedën për Express, të cilën të plotë mund ta lexoni në numrin e nesërm.

Mediat serbe spekulojnë për arrestimin e Azem Sylës

Policia e Kosovës e ka arrestuar Azem Sylën, anëtar i Partisë Demokratike të Kosovës, spekulojnë sot mediat e Beogradit.

Agjencia B92 raporton se Syla është arrestuar me urdhër të Prokurorisë Publike të Qarkut në Prishtinë dhe Zyrës së Prokurorit Special të Kosovës, me kërkesë të kryeprokurores ndërkombëtare Elisabeth Arnal.

Drejtësia kërkon nga Syla që të japë dëshmi lidhur me akuzat se pjesëtarët e SHIK-ut, pas luftës në Kosovë, kryen vrasje politike, shkruan më tutje kjo agjenci.

Por burime nga Policia e Kosovës e përgënjeshtruan lajmin.

Më herët gjatë ditës, Syla, anëtar i Kryesisë së PDK-së dhe ish-komandant i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, njoftoi se i është drejtuar Prokurorisë Publike të Qarkut në Prishtinë dhe Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës në Prishtinë me kërkesë që ta njoftojnë mbi epilogun e hetimeve zyrtare lidhur me rastin ndaj Nazim Bllacës.

Pas përfundimit të hetimeve, Syla ka thënë se do të ndërmarrë veprime juridike dhe ligjore ndaj Bllacës për shkak të shpifjeve dhe gënjeshtrave të cilat ai i ka plasuar në media.

Syla ka njoftuar se ka autorizuar avokatin Tomë Gashi që ta përfaqësojë në këtë çështje penale.

Syla kërkon të njoftohet mbi epilogun e hetimeve ndaj Bllacës

Ish komandanti i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK së dhe anëtari i kryesisë së PDK së, Azem Syla, përmes avokatit të tij, Tomë Gashi, ka kërkuar nga Prokuroria Publike e Qarkut të Prishtinës dhe Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, që ta njoftojnë mbi epilogun e hetimeve zyrtare nga ana e tyre ndaj Nazim Bllacës.

Përmes një komunikate të lëshuar për media, avokati i Azem Sylës, ka bërë të ditur se ka kërkuar nga kryeprokurori i Prokurorisë Publike të Qarkut të Prishtinës, Osman Kryeziu dhe kryeprokurorja e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, Elisabeth Arnal, që ta njoftojnë mbi epilogun e hetimeve zyrtare nga ana e tyre, ndaj Nazim Bllacës.

"Arsyeja e kërkesës sime që të më njoftonin mbi epilogun e hetimeve të juaja zyrtare është që pas përfundimit të hetimeve zyrtare kundër Nazim Bllacës, unë do të ndërmarr veprime të caktuara juridike dhe ligjore në mbrojtje të dinjitet tim, për shkak të shpifjeve dhe gënjeshtrave të cilat me deklarimet e tij më 29.11.2009, i ka plasuar në media dhe opinionin kosovar i paraqituri", thuhet në komunikatë.












Read more »
Comments (0) »
Page 1 of 1