Publikisht iu kërkoj falje dy kolegeve, institucionit ku punoj, gjithë
kolegëve të mi gazetarë, gjithë atyre që më kanë qortuar për gabimin e
bërë, të cilin e pranoj, dhe shikuesve të emisionit tim, të cilët ma
kanë dhënë besimin dhe përkrahjen e tyre.
Milaim Zeka
Ka disa ditë që në mënyrë çnjerëzore është nisur një lojë lugetërish të
disa gazetarëve të Kosovës, të cilët profesionin e tyre e kanë mësuar
nëpër bankat e turpshme të një mentaliteti të ndyrë ballkanik.
E gjithë kjo ka filluar pas një incidenti të ndodhur në Aeroportin e
Prishtinës, në mes meje dhe një kolegeje të Radio Dukagjinit, të cilën
nuk e kam njohur dhe as nuk e kam ditur se kush ishte. Doli se ajo vjen
nga një familje shumë e respektuar, për çka mua sinqerisht më erdhi
shumë rëndë, edhe pikërisht për këtë i kam kërkuar falje publikisht,
asaj dhe familjes së saj, përmes axhës së saj, të cilin e kam shok dhe
mik.

Dua të sqaroj me këtë rast atë që ndodhi gjatë konferencës. Një gazetare
bëri pyetje rreth fondit të Fatmir Limajt. Një tjetër gazetar kërceu me
një pyetje tjetër rreth zgjedhjeve në Veri të Mitrovicës. Në këtë
konferencë kam pritur kryesisht pyetje të tipit: “Si e cilësoni vizitën
në Kuvajt?”, “Çka iu premtoi mbreti i Kuvajtit rreth pavarësisë?”, “Kur
do pranohet ajo?”, etj., e mandej pasi të kryhej kjo temë, të
diskutoheshin edhe çështjet tjera. Meqë u prish rendi, thash që të pyes
edhe unë rreth Eurovizionit, i cili një natë më parë kishte filluar në
Oslo të Norvegjisë. Në fund të fundit, publiku ka nevojë të ketë edhe
informacion kulturor, përveç informatave të tjera politiko-debatuese.
Kolegia ime e nderuar u kthye nga unë dhe më ofendoi me fjalët: “Kush
hamamin je ti bre që po na përzihesh në pyetje?”, por unë heshta dhe iu
përgjigja tepër qetësisht se pyetja ime ishte po aq e logjikshme sa edhe
pyetjet paraprake të shtruara prej saj.
Mbas përfundimit të kësaj konference, duke dalë jashtë, përsëri jam
provokuar dhe përsëri kam vazhduar të flas e të them se sipas mendimit
tim, nuk duhet të dilet jashtë temave për të cilat mbahet konferenca,
sidomos kur nuk është dhënë ende asnjë detaj për atë temë.
Si përfundim, e kam lëshuar atë fjalë fyese, duke e cilësuar gazetaren
dhe një kolege të saj si lopë të Danimarkës, për çka e kam ndier veten
shumë keq. Jam ndier dhe ndihem i turpëruar, edhe pse gjithçka ndodhi në
afekt.
Më së shumti jam ndier keq, sepse përveç se kolege, ato janë edhe femra.
Është pikërisht kjo gjini për të cilën unë kam më së shumti respekt dhe
gjithmonë jam munduar t’i afirmoj vlerat e saj në shoqërinë tonë.
Mirëpo, loja e shtrigave, e filluar nga disa “kolegë” të Kohavisionit,
të cilët edhe në të kaluarën janë të njohur për linçime, izolime, dënime
mediatike, etj., vazhdoi me Klan Kosovën dhe me disa gazetarë meskinë,
të tipit Kërquki.
Ne e dimë si kolegë se çfarë fjalori përdorim mbas konferencave të
shtypit, apo nëpër redaksitë tona. Ne e dimë secili se kush çka është,
mirëpo duke respektuar kodin etik të gazetarisë, asnjëherë në jetë nuk e
kam keqpërdorur ndonjë bisedë private të dikujt për marketingun tim,
siç u keqpërdor afekti im për marketing të të tjerëve. Edhe njëherë
nënvizoj faktin se i gjithë incidenti ndodhi pasi kishte përfunduar
konferenca, ndërsa kameramanët e gazetarët i kishin mbledhur krejt
kamerat e mikrofonat dhe ishin nisur të largoheshin. Pamjet të cilat
mund t’i shihni edhe në internet janë përzgjedhur me një kujdes shumë të
veçantë, gati-gati të përsosur, nga “kolegët” e Kohavisionit, ndoshta
për fatin tim të keq pasi i kam trajnuar shumë mirë personalisht në
Shkup gjatë viteve ’90.
Publikisht iu kërkoj falje dy kolegeve, institucionit ku punoj, gjithë
kolegëve të mi gazetarë, gjithë atyre që më kanë qortuar për gabimin e
bërë, të cilin e pranoj, dhe shikuesve të emisionit tim, të cilët ma
kanë dhënë besimin dhe përkrahjen e tyre.
Ndërsa shkrimet e disa gazetarucëve, apo shoqatave të mjera të gjoja
gazetarëve, as që më interesojnë. Fatmirësisht, ata janë “profesionistë”
të vërtetë, siç e kanë ndjerë nevojën ta definojnë mirë edhe në emrin e
tyre, duke u largu kështu nga ne, “joprofesionistët”.
Është pikërisht kjo kastë e gazetarëve spekulantë e të korruptuar deri
mbi kokë, të cilët e kanë degraduar veten dhe gazetarinë deri në
maksimum, e që kërkojnë të mbulojnë pisllëkun e vet nëpërmjet linçimeve
ndaj të tjerëve. Këta njerëz tregojnë se ende besojnë tek zgjidhja e
problemit përmes linçimeve, diferencimeve apo edhe kërkesave për largime
nga puna, si në vitet ‘80, në një kohë kur ekzistojnë gjykatat.
Shpresoj që këta gazetarë do ta kërkojnë edhe dorëheqjen e Bernard
Kushnerit, pasi ai e fyeu dhe poshtëroi gazetarin për një pyetje që ky i
fundit ia bëri gjatë vizitës në Graçanicë.
Gjithashtu shpresoj edhe që të qetësohen shpirtrat e ndezur të të gjithë
atyre “qytetarëve” të nderuar, që e kanë marrë në inat Milaim Zekën e
për pasojë edhe vendardhjen time, Drenicën - katund.
Më ka habitur për mirë sjellja tepër korrekte, shumë civile dhe
profesionale e Radio Dukagjinit, dhe kryeredaktorit të saj Feim
Kurhasanit, të cilët i kanë pasur të gjitha të drejtat të reagonin ndaj
incidentit ku ishte përfshirë punonjësja e tyre.
Krejt për fund, iu garantoj teleshikuesve të mi se ashtu sikurse kam
pasur guximin deri më sot të merrem me tema hulumtuese që kanë shkelur
kallot e shumë njerëzve, të cilët sot e fërkojnë barkun duke u kënaqur
me situatën ku gjendem, do të vazhdoj edhe në të ardhmen të merrem pa
kompromis me të gjitha ato fenomeneve negative që e prekin shoqërinë
tonë.
Dhashtë Zoti që politikanë të të gjitha partive, por edhe hetues të
EULEX’it t’i hapin dosjet edhe të ne gazetarëve, për të parë se kush i
ka shërbyer gazetarisë dhe kush korrupsionit dhe mafisë.